Tregtia me pakicë përshpejton në tremujorin e 3, hidrokarburet japin shtysën kryesore
Sezoni veror dhe rritja e qarkullimit të automjeteve kanë nxitur ndjeshëm tregtinë me pakicë, me karburantet që japin kontributin kryesor në rritjen e volumit të shitjeve.
Shtimi i numrit të makinave në qarkullim dhe sezoni i ngarkuar veror, ku turistët qarkullojnë në të gjithë vendin si me mjete publike ashtu edhe me automjete me qira, ka ndikuar drejtpërdrejt në përshpejtimin e aktivitetit të tregtisë me pakicë gjatë tremujorit të tretë të vitit. Të dhënat më të fundit të publikuara nga INSTAT tregojnë një rritje të qëndrueshme të volumit të shitjeve, e mbështetur kryesisht nga tregtimi i hidrokarbureve.
Rritje vjetore e fortë e volumit të shitjeve
Sipas INSTAT, Indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë arriti në nivelin 136.7 në tremujorin e tretë 2025, duke shënuar një rritje vjetore prej 6.0% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Ky tregues, i përshtatur sezonalisht, është rritur gjithashtu me 1.4% krahasuar me tremujorin paraardhës, duke konfirmuar përshpejtimin e aktivitetit tregtar gjatë muajve të verës.
Hidrokarburet udhëheqin rritjen
Rritja më e fortë është regjistruar në tregtimin e karburanteve. INSTAT bën të ditur se në grupin “Tregti me pakicë e hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara”, volumi i shitjeve është rritur me 8.6% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2024, duke reflektuar qarkullimin e lartë të automjeteve dhe kërkesën e shtuar gjatë sezonit turistik.
Edhe tregtia me pakicë, duke përjashtuar hidrokarburet, ka shënuar një ecuri pozitive. Në këtë segment, volumi i shitjeve në tremujorin e tretë 2025 është rritur me 5.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, çka tregon zgjerim të konsumit edhe për mallra të tjera.
Kontributi sipas grupeve
Sipas INSTAT, në rritjen vjetore prej 6.0% të tregtisë me pakicë, grupet kryesore kanë dhënë kontribut të ndarë. Artikujt jo-ushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara kanë kontribuar me 1.8 pikë përqindje, po aq sa edhe grupi i ushqimeve, pijeve dhe duhanit. Ndërkohë, tregtia me pakicë e hidrokarbureve ka dhënë kontributin më të madh, me 2.4 pikë përqindje.
Rritje edhe në krahasim tremujor
Në krahasim me tremujorin paraardhës, treguesit e përshtatur sezonalisht tregojnë një përmirësim të mëtejshëm të aktivitetit. Në grupin e tregtisë me pakicë pa hidrokarbure, volumi i shitjeve u rrit me 1.3% në tremujorin e tretë 2025, ndërsa në tregtinë me pakicë të hidrokarbureve rritja ishte edhe më e fortë, me 3.4% kundrejt tremujorit të mëparshëm.
Të dhënat konfirmojnë se sezoni turistik dhe lëvizshmëria e lartë kanë qenë faktorët kryesorë që kanë mbajtur gjallë konsumin dhe aktivitetin tregtar në vend gjatë muajve të verës.